Sezon i ri, numër i ri në fanellë

Të shumtë janë lojtarët që me fillimin e sezonit të ri futbollistik në Serinë A, kanë vendosur të ndryshojnë numrin në fanellat e tyre. Tamam një revolucion i vërtetë numerik.
Për dikë ka qenë një zgjedhje e kushtëzuar nga rrethanat, dikush tjetër për ti sjellë fat, e ndonjë i tretë thjesht sepse ka dëshirë të mbajë një numër tjetër në fanellë. Por e sigurt është që nga Sisoko te Hulio Sezar, nga Pastore te Jovetiç, janë të shumtë protagonistët e kampionatit italian që janë përfshirë nga kjo tendencë e re.
Para se në 1995-ën Seria A të lejonte personalizimin e numrave të fanellave me emrat e futbollistëve, numri 10 ishte më i preferuari. Prej këtij momenti prirja ka filluar të ndrysjojë: zgjedhja e numrit u bë një nga pikat kyçe të sezonit të profesionistëve të topit. Me kalimin e viteve besnikëria ndaj numrit filloi të zhduket dhe një muaj nga fillimi i sezonit të ri të Serisë A, vihet re që disa futbollistë kanë vendosur të ndryshojnë numrat që mbajnë mbi shpinë.
Për shembull, Sisoko te Juventusi ka braktisur numrin 22 për numrin 5, sepse nuk më bëri asnjëherë të fitoj diçka. Edhe te Palermo i njëjti avaz, ku dy talentet, Havier Pastore dhe Abel Hernandez, kanë hequr dorë përkatësisht nga numri 6 dhe 90, për të marrë 27-ën dhe 9-ën. Ky i fundit mbahej nga Antonio Noçerino, i cili vendosi të marrë numrin 23.
Në një intervistë për Sportmediaset.it, portieri i Interit, Hulio Sezar, pranoi se me këshillën e Paolo Orlandonit (portieri i tretë i Interit), me tërheqjen e Françesko Toldos, ka vendosur të lërë numrin 12 për të zëvendësuar me numrin 1, simboli i portierit titullar. Te Napoli, Ezekel Laveci i premtoi Edison Kavanit se do ti lërë fanellën me numrin 7.
Meqë ra fjala te numri 7, në Spanjë Kristiano Ronaldo vazhdon të thërrasë me të madhe që Rauli (që shkoi te Shalke) do të ishte shumë i lumtur nëse unë vesh fanellën e tij. Këtë numër portugezi mbante edhe te Mançester Junajtid, por e braktisi vitin e kaluar për të respektuar kapitenin madrilen.
Blerja e re e Romës, Adriano, do të mbajë numrin 8, të paprovuar më parë. Për brazilianin kjo simbolizon një kthesë në karrierën e tij. Kurse Stevan Jovetiç i Fiorentinës, në mungesë të rumunit Adrian Mutu, gjatë miqësoreve të fundit ka mbajtur fanellën me numrin 10.
2010-07-30 17:30