Thaçi: S’ka bisedime me Serbinë për veriun

Prishtinë Kryeministri kosovar ka mohuar në mënyrë kategorike të jetë ofruar ndonjë model për veriun e Kosovës, madje ka theksuar se kjo çështje as nuk do të shtrohet për diskutim me Serbinë.
Në një intervistë për të përditshmen kosovare Bota sot, kreu i ekzekutivit të Kosovës pohoi se pas vendimit të GJND-së, vendin e presin angazhime të reja më të rëndësishme. Sipas tij, synimet kryesore do të jenë rritja e numrit të njohjeve dhe procesi i integrimit në strukturat euro-atlantike.
Thaçi nënvizoi se pas opinionit në favor të Kosovës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të ri nuk mund ta zbehë askush. Përkundrazi, kjo fitore vetëm sa do të përforcohet edhe më tej. Vendimi i GJND-së është një kapitull i ri për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe për gjithë rajonin, u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.
2010-07-30 10:35