OKB: Rezoluta serbe, e papranueshme

Nju Jork Rezoluta që Serbia dorëzoi dje për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca e kanë cilësuar të papranueshëm tekstin e rezolutës pasi në të thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin dialog për të gjitha çështjet e hapura. Sipas këtyre shteteve, të cilat kanë mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, në fakt duhet të bëhet fjalë për bisedime për çështje teknike e jo për të gjitha çështjet e hapura.
Duhet të specifikohet qartë, pasi për Serbinë çështje e hapur është edhe ajo për statusin, ndërkohë që ne vlerësojmë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe se nuk mund të ketë bisedime për statusin e saj, shkruan e përditshmja serbe Blic, duke iu referuar një diplomati të huaj të mirëinformuar.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, me anë të rezolutës që Beogradi dorëzoi dje, i propozohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së qëndrimi i palës serbe rreth opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mediat serbe bëjnë me dije se anëtarët kryesorë të BE-së këmbëngulin që në tekstin e rezolutës të saktësohet se bëhet fjalë vetëm për bisedime teknike mes Beogradit dhe Prishtinës, të cilat ato vetë i përkrahin.
Pavarësisht veprimeve të Serbisë, Kosova planifikon që në vjeshtë përmes aleatëve të saj ta paraqesë një rezolutë të veten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të cilën do të prezantohet qëndrimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Deri tani shteti i ri është njohur nga 69 shtete, ndërkohë që synohet që ky numër të arrijë në 100 para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
2010-07-29 11:14