PD betejë ligjore me Topin për Gjykatën Kushtetuese

Tiranë Partia Demokratike duket se nuk do të tërhiqet nga lufta e saj ndaj presidentit të Republikës, Bamir Topi, për ta detyruar atë që të veprojë me shpejtësi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Pas deklaratës së disa ditëve më parë të deputetit demokrat, Eduard Halimi, se Topi ka shkelur Kushtetutën për mos emërimet në kohë në këtë gjykatë, vjen reagimi i radhës i tij, ku thekson se do të ndërmerren të tjera nisma ligjore në mënyrë që presidenti të veprojë në kohë.
Unë do tju garantoj se ne kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetutes, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyej Kushtetutën, qoftë dhe nga ideja e tij se mund të mungojë një hapësirë, ose një hapësirë tjetër, apo se mund të ketë një vakum apo një vakum tjetër. Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka asnje vakum, shteti ligjor nuk ka asnjë vakum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithëkund. Sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese", u shpreh sot Halimi për mediat.
Sipas deputetit demokrat, maxhoranca është e gatshmë të mbledhë në mënyrë të jashtëzakonshmë Parlamentin për të miratuar kreun e Gjykatës Kushtetuese, nëse presidenti i Republikës bën zgjedhjen e tij për këtë post.
Po sot, reagoi edhe kreu socialist, Edi Rama, sipas të cilit faji për Gjykatën Kushtetuese, nuk është i presidentit por i maxhorancës.
Akuza ndaj presidentit për gjoja shkeljen e Kushtetutës dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese që sot është në këtë derexhe pikërisht për faj dhe përgjegjësi ekskluzive të atyre që akuzojnë. Kur PD flet për shkelje të Kushtetutës mua më kujtohet Faik Konica që thoshte më vjen një i papërmbajtur gaz. Ata çdo ditë gdhihen me dy këmbët mbi Kushtetutën dhe ngrysen duke i lënë këpucën mbi Kushtetutën para se të shkojnë të flenë", thotë Rama në takimin me gazetarët mesditën e sotme. /S.Ll/Start/
2010-07-30 15:49