Topi: Pa një media të lirë nuk mund të ketë demokraci

Tiranë Presidenti i Republikës Bamir Topi, mori pjesë dje në Konferencën për Mediat, të organizuar nga grupi mediatik WAZ, dhe Organizata për Median e Evropës Juglindore (SEEMO) dhe bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri.
Topi vuri në dukje faktin se shoqëritë demokratike e konsiderojnë median si barometër të lirisë dhe të nivelit të demokracisë të tyre, por rëndësia e saj shumëdimensionohet në vendet dhe shoqëritë në procese demokratike e në zhvillim siç është Shqipëria e në rajone në procese integruese siç është Evropa Juglindore.
Pa një media të lirë nuk mund të ketë demokraci, theksoi Presidenti duke shprehur dhe besimin se më mirë nga të gjithë e dimë këtë ne që po përpiqemi të forcojmë prej vitesh demokracinë në vendet tona dhe që të kemi një media të pavarur, pluraliste, që njeh dhe shpreh shqetësimet tona.
Megjithatë, kreu i shtetit nuk ka lënë pa kritikuar edhe disa media të caktuara, të cilat kanë njënashmëri të theksuar në pasqyrimin e informacioneve. Ju e dini që edhe në tregun mediatik ka media që në mënyrë të qartë janë të profilizuara në një drejtim, janë kompakte, saqë është e vështirë ndonjëherë të gjesh nëse janë gazetarë, apo janë parti politike, theksoi presidenti shqiptar.
Duke marrë shkasë nga ngjarja e fundit e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, Topi tha se në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike për të vendosur jo vetëm standardet e shtetit ligjor, por për të garantuar klimën.
Presionet politike, por jo vetëm ato, fatkeqësisht janë ende të pranishme në skenën e medias shqiptare. Këto duhen parë jo vetëm si një marrëdhënie dypalëshe mes medias dhe politikës, por edhe si një reflektim i gjithë zhvillimit të shoqërisë, me faktorë të ndryshëm që ndërthuren midis tyre, tha më tej ai.
2009-11-05 08:08