facebook
twitter
rss
E Diel,   21 Dhjetor 2014
Artan Fuga: Jetojmë në demokracinë e opinionit, jo të vendimmarrjes
2013.04.09 - 17:22   
 
 

Intervista “START 19+1” - Nga: Artan Dokuzi / Eno Shkëmbi

Në intervistën “Start 19+1” vjen akademiku Prof. Dr. Artan Fuga, profesori i njohur i Filozofisë dhe Shkencave të Komunikimit, shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Kur i kërkohen tri këshilla se si mund të bëhet ky vend, pasi ngurron për një çast thekson: Prioritet të markës shqiptare në prodhim dhe shërbim, shtet  ligjor dhe jo partiak,  integrimin e fuqishëm evropian. Pas 100 vitesh shtet ai mendon se ka lindur koncepti i qytetarit, megjithëse vetë qytetari nuk është vendimmarrës në atë që ai e quan ‘demokraci të nivelit të ulët’.

1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Janë tri fjalë shumë të qarta, por që kërkojnë të futesh brenda disa kufijve që përcakton përkufizimi i tyre. Unë nuk ndodhem as te patrioti, as te nacionalisti, as te kozmopoliti. Kozmopolit do të thotë të mos ruash një identitet kombëtar; nacionalist e kuptoj me një terminologji që vendos interesin e kombit të vet kundër interesave të kombeve të tjerë. Jam patriot, por jo një patriot në kuptimin e të qenit i mbyllur në kulturën time. Do të zgjidhja patriot në kuptimin që i takoj kombit shqiptar. Ndihem mirë brenda këtij kombi, është qenia ime atje, ndihem i integruar, kam ndjesinë e të qenit në shtëpinë time, në atdheun tim, por i hapur ndaj kulturave të tjera, në bashkëveprim me kulturat e tjera. Mbi të gjitha jo nacionalist, në kuptimin e një etnocentrizmi që të errësojë vlerat që kanë kombet e tjera.

2. Majtas apo djathtas?

Për mua nuk ka rëndësi shumë, majtas apo djathtas. Për mua ka rëndësi që në kontekstin e caktuar të kontribuoj që forcat politike të kenë një ekuilibër që çon në ndarje pushtetesh dhe një demokraci më të zgjeruar se ajo që është, në interes të qytetarit. Pra,  herë kam votuar majtas herë kam votuar djathtas, nuk jam i përcaktuar sepse edhe majtas edhe djathtas është shumë e vështirë të ndash në shoqërinë shqiptare. Ka vlera të cilat më shumë më vijnë nga e djathta, ka vlera të cilat më shumë më vijnë nga e majta.

3. Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Kërkoj kohë për të arsyetuar dhe marrë gjithmonë në shqyrtim anët negative dhe pozitive. Por gjëja e parë që bëj menjëherë është: marr kohë, në mënyrë që të jem i shkëputur nga ndjesitë e çastit dhe nga përjetimet e momentit.

4. Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?

Është “Logjika” e Hegelit, por mund të shtoja dhe “Kritika e arsyes së kulluar” të Emanuel Kantit, ku kam kuptuar se si funksionon arsyeja njerëzore; çfarë është shkenca; çfarë është dija; çfarë është kultura. Do të vazhdoja me librin “Neo-Pragmatizmi” të filozofit të njohur neo-pragmatist amerikan Richard Rorty. Ndoshta që ka ndikuar shumë është edhe Marshall McLuhan, “Si të kuptojmë median”. Këtë hierarki do të vija: Hegeli, Kanti, Rorty, McLuhan.

5. Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Në 100 vite shtet për mua kanë ndryshuar shumë gjëra. Nuk dua t’i numëroj. Kemi një tërësi dhe një unitet territorial, gjuhësor, historik, psikologjik dhe ndjesinë e dëshirës për të jetuar të pavarur, që jo medoemos 100 vjet më përpara të gjithë shqiptarët e kanë pasur. Një shoqëri shqiptare që është më shumë perëndimore se sa lindore, që ndofta 100 vjet përpara mund të mos ketë qenë. E treta, kemi lindjen e qytetarit, 100 vjet përpara kishim shtetas por jo qytetar. Qytetar në kuptimin e njeriut që ka koshiencën e institucioneve ku jeton dhe kërkon të bashkëveprojë me to.
 

6. A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Po, por krizën unë nuk e kuptoj si një gjë negative. Kriza për mua është kontekst ku një model shoqëror, ekonomik, kulturor, institucional ka arritur në pikën ku nuk jep dot më shumë potenciale zhvillimi. Kjo krizë e shkruajtur brenda krizës botërore, financiare, institucionale, ballkanike, evropiane, është shans i paparë që ne të rimendojmë shoqërinë për të ecur më tutje. Kriza për mua është në modelin ekonomik, ne do ta kalojmë atë në qoftë se ekonomia shqiptare fillon prodhon.  Në modelin institucional, në do ta kalojmë atë nëse ndërtojmë një shtet ligjor. Në momentin kulturor, në qoftë se ne kulturën e lidhim me integrimin e njeriut përmes punës në shoqëri.

 7. Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Sigurisht këtu duhet të jesh modest. Të japësh këshilla për vendin është një gjë që nuk më shkon përshtat, sepse e ndjej veten shumë të paaftë. Po meqenëse po ma kërkoni, po e them.
1. Prioritet i markës shqiptare në prodhim dhe në shërbim.
2. Shtet ligjor, jo shtet partiak apo multi-partiak.
3. Integrim i fuqishëm evropian që do ta modernizonte shumë vendin.

8. A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Sigurisht ka shumë nga këta, shumë personazhe historikë, shumë burra shteti, njerëz të kulturës, të artit. Një të vetëm nuk besoj se e kam. Në momente të caktuara kam pasur ndikime nga figura të ndryshme të kulturës dhe të traditës shqiptare, po nëse do të veçoja ndonjë, do të veçoja Ismail Qemalin.

9. Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politikë?

Sipas meje, Zogu ishte aq monark sa mund të jetë një monark që nuk e ka trashëguar monarkinë, po bëhet mbret. Sa mbret mund të jetë një mbret jo i trashëguar, por i zgjedhur, sa mbret mund të bëhet një njeri brenda 10-15 vjetëve. Mendoj se monarkia shqiptare as nuk ishte traditë, as nuk krijoi dot traditë, as nuk mund ta krijonte atë. Ajo që dua të them është se unë e kuptoj ose më duket sikur e kuptoj se përse Zogu gjeti zgjidhjen e kalimit nga Republika në Monarki për atë kohë.
Sa komunist ishte Enver Hoxha? Aq komunist sa mund të ishte në një Shqipëri rurale, në një ekonomi të pazhvilluar, në kushte sociale dhe ekonomike ku komunizmi ishte pothuajse një utopi. Në kushtet e një shteti diktatorial, ku shteti diktatorial dhe komunizmi sipas tërë aspiratave komuniste nuk kanë asnjë gjë të përbashkët.
Sa demokratikë janë liderët e sotëm politikë? Janë demokratikë në kuptimin që detyrohen t’u nënshtrohen institucioneve të shprehjes së lirë, opinionit të lirë, të pluri-partitizmit, të rotacionit të pushtetit. Në mendimin tim sot janë duke aplikuar një demokraci të nivelit më të ulët, demokracisë së opinionit. Në demokracinë e opinionit të gjithë qytetarët kanë të drejtë të flasin, por nuk marrin pjesë në vendimmarrje.

10. Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Të dyja. Jemi në një demokraci të opinionit, një pluralizëm politik me disa të drejta të kufizuara të qytetarëve, me një liri shprehjeje që është e fazës post-komuniste. Por jo në kuptimin që jemi në një shoqëri që akoma vazhdon të mbetet komuniste.

11. Shqiptarët, orientalë apo oksidentalë?

Oksidentalë, patjetër. Orientalizmi është një kulturë që shqiptarët nuk e kanë prekur dot. Kanë ndonjë influencë nga pesë shekuj sundim otoman, por nuk kanë bazat, nuk kanë elementët e një kulture orientale e cila është një tjetër gjë; që fillon me kulturën e botës turko-otomane, arabo-islame, hindu, kinezo-konfucianiste. Shqiptarët janë larg kësaj, më afër janë një pragmatizmi evropian.

12. Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një evropian?

Mendoj se një qytetar shqiptar ka më pak të drejta politike, ekonomike dhe sociale nga një qytetar evropian. Të tjerat janë njësoj.

13. “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Besa në kuptimin e kanunit po, është një vlerë e tejkaluar. Besa si një institucion që organizon shoqërinë dhe që zëvendëson ligjin e shkruajtur, avokatinë, institucionet, delegimin e pushtetit, kjo besë është e tipit kanunor, në kohën e vet ka pasur vlerën e vet, sot nuk është. Në qoftë se besa ka kuptimin e një prirjeje për të mbajtur fjalën apo për të qenë besnik i mikut apo i mikeshës, i shokut apo i shoqes, i burrit apo i gruas, i fëmijës apo i fëmijëve, i besimit politik etj, kjo s’është vlerë e tejkaluar, por në botën e sotme jo vetëm shqiptare, ka shqetësim. Pra, unë ndaj besën në dy: besa kanunore që është e tejkaluar, dhe besa si një vlerë morale në kuptimin e të qëndruarit të fjalës që sa më shumë të jetë e mundur është mirë.

14, Tirana, metropol apo fshat urban?

Është një përqendrim urban, larg të qenit një metropol i vërtetë, që nënkupton një infrastrukturë, një organizim të caktuar. Fshat nuk është. Është një përqendrim ekonomik, demografik më shumë urban.

15. Çfarë është kombi për ju?

Kombi është dëshira e njerëzve që në një kulturë, në një traditë, në një kujtesë, në një gjuhë, vullneti i tyre për të jetuar bashkërisht. Për të ndërtuar një kulturë institucionale, që fillon me mënyrën se si përjeton ngjarjet e jetës së përditshme deri në organizimin e shtetit. Çfarë është kombi shqiptar për mua? Është ndarja e një kujtese të përbashkët dhe të qenit në vullnetin për t’i përkitur atij.

16. Çfarë është familja për ju?

Familja për mua është: Së pari vendi ku unë shpreh intimitetin tim. Së dyti, është streha ime psikologjike. Së treti, është solidariteti më i lartë që unë kam me pjesëtarët e familjes time, në të mirë e në të keq, derisa siç thotë fjala “vdekja të na ndajë”. Është vendi i lumturisë intime dhe një privatësie e ndërtuar në vite e që nuk e ndërroj me asgjë.

17- Një vend që ju ka bërë përshtypje?

Mund të jenë shumë vende. Këtu më vjen ndërmend një gjë: Ndodhem në një moment, në malësi të larta midis Francës dhe Gjermanisë, në një ditë pushimi. Shkoj në një pllajë me borë, pyll i dendur dhe ka një qetësi absolute. Qëndroj atje, kur dëgjoj një tingëllimë në vesh, që bënte si një mizë në veshët e mi dhe ktheja kokën për të parë çfarë ishte kjo. Kur nuk gjeja asgjë që ta bënte atë zhurmë, kuptoj që qetësia ishte aq e madhe sa unë dëgjoja zhurmën që bënin veshët e mi. Në atë vend kuptova që shqisat tona kanë një energji që në qytetin e zhurmshëm ne nuk e dëgjojmë, çka do të thotë se zhurmat e jashtme na pengojnë të dëgjojmë zhurmat tona, kurse qetësia absolute fillon atje ku ne dëgjojmë zhurmat e trupit tonë.

18. A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Në momentin kur kam marrë titujt shkencorë dhe akademikë në institucionet evropiane, në Francë, dhe në momentet kur kam pasur kënaqësinë të jap mësime në salla, në amfiteatro me 600 apo më shumë studentë.

19. Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Absolutisht asgjë. Nuk jam pishman për asgjë.  Jo sepse mendoj se çdo gjë më ka shkuar vaj, përkundrazi, por defektet, dramat, gjërat negative janë pjesë e jetës, nuk mund të evitohen. Nga kjo pikëpamje jetoj jetën time më të mirë të mundshme, sikundër çdo njeri. Ata që pendohen për jetën e tyre unë nuk i kam shumë qejf, sepse janë në një psikopatologji që i gabon.

20. Cilat janë sot sfidat e gazetarit?

Sfida e gazetarit sot është që të jetë gazetar në kushtet e komunikimit digjital, konvergjent, online. Të tillë gazetarë në Shqipëri nuk kemi, në Ballkan nuk kemi, ka shumë pak në Evropë. Në jetojmë sot në botën e teknologjisë digjitale, ndërkohë që gazetari në praktikën e vet është akoma në kohën e teknologjive të Gutenbergut. Pra, sfida e gazetarit sot është të jetë në të njëjtin ritëm me mundësitë teknologjike të komunikimit dhe në rolin të tij në një hapësirë publike digjitale, ose në siberhapësirën publike.



Postuar m: 2013-04-09 18:21
Si gjithmone sume fisnik profesor Fuga! Me ka pelqyer shume tek 3 keshillat se si behet ky vend. Jane shume te sakta dhe te verteta. Jo, se e konsideroj veten shume inteligjente, por ato jane dhe mendimet e mia, sidomos e para.
Ola , Tirane
Postuar m: 2013-04-09 18:34
Prof. Fuga jeni nje mendje e ndritur e ketij vendi, ne cdo opinion interviste te lini me goje hapur.
Brikena , tr
     
  Komento kete Lajm!   
  Emri*   
  Qyteti   
  Permbajtja e komentit*   
  Kodi*     
 
Sqarim: Njoftojme te gjithe lexuesit tane se komentet te cilat permbajne fjalor ofendues, antikombetar, antifetar, percares NUK DO TE PUBLIKOHEN!!!
     
Lajme të ndryshme
Klop e thotë troç: Dukemi si një tufë idiotësh
12 veprime të paligjshme që turistët nuk i dinë
Njihuni me telefonin inteligjent me ar dhe titan (foto)
Si mund të mbrohemi nga sinusiti?
Sekretet e një shtatzënie të qetë
Edhe Ronaldo injoron Platininë
Roma ngec me Milanin, tani -3 nga Juve
Shtëpi për fundin e botës (foto)
Blendi Fevziu: Ahmet Zogu nuk ishte tradhtar
Op / Ed
Lajmi i fundit
 Forum
A e keni busullën e jetës? Njerëzit e pavendosur, të përplasurit sa andej-këtej nga mosnjohja e qëllimit të jetës së tyre, të pakënaqurit me gjërat që kanë arritur, nuk ua dinë vlerën e vërtetë gjërave. »»
 Eseistikë
Tre qytete Athina, Roma dhe Konstandinopoja/Stmabolli janë tre prej qyteteve simbol që përbëjnë një trashëgimi kulturore të llojit të vet për të gjithë botën, por në veçanti për kontinentin europian. Kur themi »»
 Dossier
Konfiskimi i arit nga regjimi komunist Grabitjen më të madhe shqiptarëve ua bënë vetë shqiptarët. Grabitja sistematike dhe konfiskimi i arit nga pasanikët shqiptarë filloi me instalimin e regjimit komunist. »»
Abonohu
Email
(*) Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.

 

[ Stafi | Kreu | Kontakti | Politika e Botimit ]
Copyright 2006-2014 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.