facebook
twitter
rss
E Enjte,   21 Gusht 2014
Ardian Vehbiu: Intelektualët të dyzuar mes privilegjeve të pamerituara dhe anti-intelektualizmit populist
2013.03.04 - 18:26   
 
 

Intervista “START 19+1” - Nga: Artan Dokuzi / Eno Shkëmbi
 
Në Intervistën “Start 19+1” vjen studiuesi dhe publicisti i njohur Ardian Vehbiu.  Ahmet Zogun e cilëson si  një monark prej shajaku, por që dinte të dëgjonte këshillat e të tjerëve.  Enver Hoxhën, një mikroborgjez province, që pati kohë dhe fat  ta shndërrojë provincializmin gjirokastrit në paranojë dhe pastaj megalomani. Ndërsa liderët e sotëm i vlerëson si njerëz të rraskapitur nga meskiniteti i tyre, sidomos etik.
 
 

1 -Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Qytetar - që për mua është mënyra e vetme e të qenit patriot në një kohë kur terma si tre të mësipërmit janë konsumuar, qoftë si mburrje qoftë si akuza, në diskursin publik.

 

2 - Majtas apo djathtas?

Majtas.
 

3 - Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Kur jam vetëm, dal shëtitje në park. Po të kem mundësi, bisedoj me një njeri të afërt.
 

4 - Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?

“Brave New World” e Aldous Huxley-t.
 

5 - Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Ka humbur besimi i qytetarëve në drejtësinë dhe paanshmërinë e shtetit; ka humbur shpresa e shqiptarëve se shteti shqiptar mund t’u sigurojë klimën dhe sigurinë e mjaftueshme, që këta të gjejnë vetveten dhe lumturinë në jetë.
 

6 - A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Ka krizë identiteti dhe metastaza të saj, që shprehet në mënyrën më akute si krizë e raporteve midis brezave; dhe në mënyrën më specifike, si krizë e babait - ose e autoritetit.
 

7 - Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Decentralizim i pushtetit (federalizëm), kooperativa bujqësore & tregtare, imponim i shërbimit të detyruar civil për të rinjtë, si zëvendësues i shërbimit ushtarak të dikurshëm.
 

8 - A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Do të veçoja vëllezërit Frashëri.
 

9 - Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratikë janë liderët e sotshëm politik?

Zogu ishte një zgjatim i përtharë i Perandorisë Osmane, monark prej shajaku, por që dinte të dëgjonte këshillat e të tjerëve; Enver Hoxha ishte një mikroborgjez province, që pati aq kohë dhe fat sa ta shndërrojë provincializmin gjirokastrit në paranojë dhe pastaj megalomani; liderët e sotëm, me aq sa i njoh, janë njerëz të rraskapitur nga meskiniteti i tyre, sidomos etik.
 

10 - Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në post-komunizëm, madje më keq; jemi në ujëra të panjohura, ku ende eksperimentojmë me harta lundrimi të vizatuara për anije dhe detra të tjera. Kemi ruajtur vizionin bardhezi, në një botë ku ngjyra është gjithçka.
 

11 - Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?

Shqiptarët janë popull i kufirit të lyer me magmë mes dy pllakave tektonike, produkt i një çarjeje vigane planetare, gjithnjë me njërën këmbë në Lindje, tjetrën në Perëndim.
 

12 - Ku ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?

Qytetari shqiptar ndihet i vetmuar, i nëpërkëmbur dhe i rrezikuar; i rrethuar me joqytetarë ose me njerëz që ia refuzojnë solidaritetin. Qytetarit shqiptar i mbahet goja kur nis të thotë “ne”.
 

13 - “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Besa ka qenë orvatje e një kulture të pashkruar, si ajo e shqiptarisë mesjetare, për të disiplinuar dhunën e vetvetishme brenda një shoqërie të detyruar t’u bindet rregullave të mbijetesës, jo të jetesës, e aq më pak të bashkëjetesës. Sot shqiptarëve u duhet një lloj tjetër bese - që ka të bëjë me besimin tek Tjetri e që mundëson sa jetën sociale qytetare, aq edhe vetë kapitalizmin, ose të paktën tregun e lirë. Ne rrezikojmë, megjithatë, t’i humbim të dyja llojet e besës, sa kohë që humbim kohë duke adhuruar hijet e tyre, ose simbolet përkatëse.
 

14 - Tirana, metropol apo fshat urban?

Metropol - por i shqiptarëve. Yni është qytetërim ende rural, me këpucët me baltë, me dyshime për tjetrin dhe pasione materiale të thjeshta; por për këtë nuk e ka fajin Tirana, të cilën duhet ta gjykojmë nga bukuria që arrin të sekretojë megjithatë - dhe këtu s’e kam fjalën për arkitekturën, por për ata pak qytetarë që i ndesh gjithnjë atje.
 

15 - Çfarë është kombi për ju?

Një kolektiv njerëzish që dëshirojnë të jetojnë së bashku dhe ta shkruajnë hisen e tyre të historisë së përbotshme së bashku; qoftë edhe duke filluar me krijimin e një armiku të përbashkët.
 

16 - Çfarë është familja për ju?

Dashuri.
 

17 -  Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Kisha e Mesopotamit, në vitet 1980, e shndërruar në magazinë veglash bujqësore. Një lagje në Romë, ku kam pasur një déjà-vu të fortë, ose bindjen se dikur disi kisha kaluar fëmininë atje. Varrezat ilire në Selcë të Poshtme.
 

18 - A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Shpresoj ta kem ende në të ardhmen; përndryshe, ndoshta çmimin “Gjergj Fishta”, që m’u dha për librin “Shqipja Totalitare” në 2010.
 

19 - Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Do t’u kisha kushtuar më shumë vëmendje dhe kohë njerëzve të dashur për mua, që sot nuk jetojnë më.
 

20 - Sipas jush, cili është identikiti i intelektualit të sotëm shqiptar?

Intelektualin e sotëm shqiptar e shoh të dyzuar mes pretendimeve komike për privilegje të pamerituara dhe paralizës përballë anti-intelektualizmit populist.



     
  Komento këtë Lajm!   
  Emri*   
  Qyteti   
  Përmbajtja e komentit*   
  Kodi*     
 
Sqarim: Njoftojmë të gjithë lexuesit tanë se komentet të cilat përmbajnë fjalor ofendues, antikombëtar, antifetar, përçarës NUK DO TË PUBLIKOHEN!!!
     
Lajme të ndryshme
Ronaldo rikthehet si titullar ndaj Atletikos
Shtatzania më e gjatë në histori është 38 vjet
“ZTE” prezanton telefonin “Nubia 5S Mini”
Si krijohen gurët në veshka?
Bëhuni shokë me fëmijët tuaj edhe në botën virtuale
Kur hedhja e kovës me akull në kokë dështon!
Një shqiptar tek Milani
Prekëse, historia e familjes së prekur me ALS (video)
Artan Fuga: Mediat sociale përcjellin dije
Analistët
Lajmi i fundit
 Forum
Dashuria dhe mendimi Si ndizen llampat në shtëpi? Dihet se nga një vend i caktuar vjen energji me ndihmën e kabllove të përshtatshëm dhe llampat ndizen kur shtypim çelësin duke na dhënë dritë. »»
 Eseistikë
Mbi raportin e të përveçmes dhe të përbotshmes në letërsi Besoj nuk është e vështirë të kuptohet se këto e shumë vargje të tjera të kësaj natyre i drejtohen shqiptarit, e jo njeriut. Prandaj, kjo lloj letërsie nuk i thotë asgjë atij që nuk është shqiptar. »»
 Dossier
Projektet e para hekurudhore në trojet shqiptare Ndërtimi i linjës së parë herudhore në Perandorinë Osmane filloi në vitin 1851. Kjo linjë, e cila do të lidhte Kajron me Aleksandrinë ishte e gjatë 211 km dhe përfundoi më 10 janar të vitit 1856. Me k »»
Abonohu
Email
(*) Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.

 

[ Stafi | Kreu | Kontakti | Politika e Botimit ]
Copyright 2006-2014 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.