facebook
twitter
rss
E Enjte,   28 Gusht 2014
Në “burgun” e kafshëve
2013.01.09 - 19:13   
 
 

Nga: Eno Shkëmbi / Artan Dokuzi

“Mirësia dhe mëshira ndaj të gjitha gjallesave është shenjë e një shoqërie të civilizuar” (César Chávez, aktivist për të drejtat e kafshëve)
 
 

Brenda “burgut”

Ndërsa dielli ngrihet me shkëlqim mbi Dajt me hapat e tij te shpejtë në qiellin e pamat, gështenjapjekësit, shitësit e cigareve e kokoshkave, stolat, gjethet e rëna përtokë të një vjeshte të stërzgjatur, vrapuesit e mëngjesit, të dashuruarit, fëmijë, të rinj, të moshuarit... ecin drejt digës së liqenit me hapa të ngadaltë. Ecim edhe ne mbi digën e betontë të liqenit, ku dielli reflekton duke na vrarë sytë.

Pasi kemi lënë pas digën e liqenit artificial gjendemi përballë një tabele të vogël ku shkruhet “Kopshti Zoologjik”. Hyjmë brenda. Nuk na vë re askush. Pasi ecim pak metra, një grua shtatshkurtër me një zë shpues na thërret “prit ku shkoni?!” Është biletashitësja. “Kaloni këtej të merrni biletat”, thotë. Paguajmë 200 lekë; “mund të hyni” - vazhdon, megjithëse nuk marrim asnjë biletë prej saj.

 

 

Këmbët na shpien drejt godinës ku kafshët e egra mbahen prej vitesh aty, në kafazet prej hekuri. Në hyrje të saj, në të djathtë të korridorit kundërmon një erë e rëndë që të përplaset në flegrat e hundës. Përballë nesh, një shkabë brenda kafazit duke se po shqyen një copë mishi të ndenjur. Hera-herës vështron me armiqësi. Në kafazin aty pranë, ariu është kafsha që na shfaqet përpara. Rrotullohet mesveti, në rrethin e tij vicioz, në një sipërfaqe të vogël të denjë për një mi. Në kafazin tjetër janë dy ujqër, të cilët, në krahasim me kafshët e tjera kanë privilegjin të jenë çift,  të ndajnë agoninë ndërveti. Më tutje takojmë “mbretin” e pyllit, që këtu është “i dënuari më i madh burgut”. E kanë detyruar luanin e gjorë të jetojë në një hapësirë prej jo më shumë se 50 metrash katrorë. E humbur shkëlqimin natyror, si një qenie që jeton në një trup të huaj.

Kafshët e egra po humbasin përditë një nga një, duke u zëvendësuar në mënyrë qesharake me kafshë shtëpiake. Dikur, këtu ka pasur një tigër, tanimë në hekura gjen mace shtëpiake. E jo vetëm  mace, por edhe pëllumba e gjela deti, përveç dhomave të mbetura bosh si mos mëkeq në burgun e harresës. Tek ecim, pa asnjë vizitor përreth, na duket sikur po vizitojmë një qeli të vetmuar. Veçse këto kafshë nuk kanë kryer asnjë vepër penale: i vetmi faj i tyre është që janë qenie me ndërgjegje të ulët, në një vend ku ndërgjegjja qytetare për problemet e kafshëve thuajse nuk ekziston.

 

 

Përtej “burgut”...

I largohemi erës kutërbuese që pluskon në ajër gjithandej. Pas “burgut” të mbyllur që tanimë duket se është bërë streha e panatyrshme e kafshëve shtëpiake, kopshti (aq sa mund të quhet i tillë) vazhdon me disa mikro-ishuj të tjerë kafshësh më tërheqëse për syrin e vizitorit. Ecim në gjelbërimin e mpakur, ku në horizont shfaqen pallatet e reja të ndërtimit. Asnjë vizitor. Veçmas, një çift të rinjsh që më shumë se një vizitë në Kopshtin Zoologjik, duke se po kalojnë një paradite dashurore, në paqe me natyrën, ulur në stolat e rinj që kanë zënë vend në limanin e gjelbër. Më tej basene të ndara, në gjendje të mjerueshme uji të qelbur. Mbi një pellg të baltosur noton vetëm një mjellmë e bardhë, me lëvizje të lodhura, të ngadalta, monotone, të pajeta. Në një rrethim të ngushtë shohim që bashkëjetojnë si kurrë më parë lamat, delet, dhia, bualli, kali... Kafshët duken miqësore, përveç buallit i cili duket si i rebeluar duke dalë  jashtë rrethimit të rrjetës, e nuk po u bindet urdhrave të dy punëtorëve të plakur, që janë personeli i këtij kopshti. Më tej tre strucë, që kanë ardhur para një viti në kopsht e që jetojnë në një sipërfaqe tepër të vogël. Në fund të kopshtit shohim një karakatinë e vjetër. Aty pranë na afrohet roja, një mesoburrë, me syze dielli dhe kapele. Na rrëfen se godina ka dalë jashtë funksioni prej më shumë se dhjetë vitesh. Përgjatë kësaj kohe që ai punon në këtë kopsht  na thotë - gjendja ka ardhur duke u degraduar. “Çdo ditë e më tepër ngordhin kafshët e egra. Gjendja është kjo që shihni, e mjeruar”.

 



 

Historia e një kopshti zoologjik në degradim

“Kopshti Zoologjik i Tiranës renditet si një ndër 10 më të këqijtë në botë” (Green Me )

Ishte viti 1971 kur u hap për herë të parë Parku Zoologjik në Tiranë, duke i dhënë një dimension të ri argëtimit të vakët të qytetarëve të asaj periudhe. Para viteve ’90 ky ishte një kopsht me një larmishmëri jo të madhe kafshësh, por atë mirëmbaheshin dhe çdo ditë kishte vizitorë të shumtë. Sot gjendja duke krejt tjetër: pa kafshë dhe pa mirëmbajtje.

 

 

Ndërsa ecnim së bashku me rojën drejt guvës së arinjve, ai në rrëfen se “kur isha vizitor para viteve ’90, këtu vinim me qejf, bashkë me familjen. Ndërsa sot nuk ke se çfarë të shohësh”. Ky kopsht ka një sipërfaqe prej 5,97 hektarësh, nga të cilat 4,35 hektarë janë sipërfaqe e gjelbër, 1,3 sipërfaqe ujore e përbërë nga basene të vegjël me ujë, 1,8 hektarë zihen nga rrugë dhe sheshe të vogla dhe 0,14 hektarë janë sipërfaqe ndërtimi të destinuara për kafshët dhe shpendët. Pas viteve ‘90, ky kopsht erdhi duke u degraduar, kur u pakësuan ndjeshëm një nga një kafshët e egra. Ish-kryebashkiaku Edi Rama nuk jetësoi asnjë projekt konkret për ta ndryshuar gjendjen. Lulishtet dhe sipërfaqet e tij të gjelbra erdhën duke u rrudhur si pasojë e ndërtimeve të reja të betonit që kërcënojnë përditë e më tepër këtë sipërfaqe të gjelbër. Kurse kryebashkiaku i tanishëm Lulzim Basha, në të gjithë premtimet e tij sensacionale për kryeqytetin nuk përmendi asnjë projekt afatgjatë për Kopshtin Zoologjik.

 

 

Vizitorët sot janë të paktë, më së shumti nxënës shkollash e tek-tuk ndonjë vizitor i rastësishëm. Në rrjetat e telave rrethuese të kafazeve duket se nuk është vënë dorë. Në mungesë të një projekti për pasurimin dhe shtimin e kafshëve që po ngordhin dita-ditës, është gjetur një zgjidhje e re: bashkimi i sektorit të kafshëve shtëpiake dhe bujqësore me ato të egra. Mungon një folës, që shoqëron dhe u shpjegon vizitorëve llojet e kafshëve dhe tiparet e tyre. Ka një veteriner, i cili nuk gjen mundësi praktike për t’i mirëushqyer këto kafshë. Ndërkohë, personeli është në pikë të hallit. Nuk ka asnjë plan rehabilitimi për pellgjet dhe filtrimin e ujit që lëngon si moçal mes tyre.

 

 

Kjo gjendje e mjeruar është e tillë prej vitesh, pasi nuk është bërë asnjëherë rikonstruktimi i kopshtit. “Mungesa fondeve”, ka qenë fraza më klishe e justifikimit allashqiptarçe, të cilit nuk i ka munguar drejtorëve të këtij kopshti në intervistat për media. Në vendet e zhvilluara, në sajë të suksesit të të drejtave të kafshëve, kopshtet zoologjike kanë filluar të ridizenjojnë hapësirat e tyre në përpjekje për t’i bërë strukturat më të mëdha dhe më natyraliste, për t’u krijuar kafshëve sadopak habitatin e tyre të natyrshëm. Ndërkohë që në botë mirëmbajtja në kopshte zoologjike ngre shqetësime për të drejtat e kafshëve, në Shqipëri as që flitet për to.

 

 

Ndërsa largohemi nga ky mjedis i ashtuquajtur Kopsht Zoologjik, në hyrje, tek biletashitësja takojmë një mesoburrë të thinjur. Është Astrit Mestani, i caktuar prej pak kohësh shef i Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Aspak i qetë në të folur kur i themi se jemi gazetarë. Largohemi nga kopshti, i cili tanimë është kthyer në një burg ku struket dëshpërimisht mishi i butë i jetës.

 




 

Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara. Nuk lejohet botimi në mediume të tjera në asnjë mënyrë pa lejen me shkrim të “Gazeta Start".



Postuar më: 2013-01-09 21:22
Nje problem vertet shqetesues. Dhe pse i pare nga nje sy perciptazi le dhe ngersheron ne vetvete nje mesash teper te fuqishem per ndergjegjsimin e cdo qytetari qe e lexon.
Erlind , Tirane
     
  Komento këtë Lajm!   
  Emri*   
  Qyteti   
  Përmbajtja e komentit*   
  Kodi*     
 
Sqarim: Njoftojmë të gjithë lexuesit tanë se komentet të cilat përmbajnë fjalor ofendues, antikombëtar, antifetar, përçarës NUK DO TË PUBLIKOHEN!!!
     
Lajme të ndryshme
Champions, sot mbyllet play-off-i, gati hedhja e shortit
Gjendet falë sfidës së “kovës me akull”, kërkohej nga policia
“Samsung” do të vijë me linjën e re të telefonave “Galaxy A”?
Dobitë e vajit të peshkut
Problemet e adoleshencës rrisin rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike
Kur hedhja e kovës me akull në kokë dështon!
Bajerni zyrtarizon Benatian
Shokuese, 9-vjeçarja vret aksidentalisht instruktorin e saj (video)
Artan Fuga: Mediat sociale përcjellin dije
Analistët
Lajmi i fundit
 Forum
Mendimtari Gylen gjykon krimet e rënda të ISIS-it Mendimtari i njohur, Muhammed Fetullah Gylen ka dënuar ashpër aktet barbare e çnjerëzore të organizatës terroriste ISIS, të cilat sa vjen e janë shtuar shumë kohët e fundit. »»
 Eseistikë
Mbi raportin e të përveçmes dhe të përbotshmes në letërsi Besoj nuk është e vështirë të kuptohet se këto e shumë vargje të tjera të kësaj natyre i drejtohen shqiptarit, e jo njeriut. Prandaj, kjo lloj letërsie nuk i thotë asgjë atij që nuk është shqiptar. »»
 Dossier
Programi dhe organizimi i “Partisë Kombëtare të Shqipërisë” 1902 (I) Programi i parë politik dhe organizativ i një partie shqiptare, emri i së cilës do të ishte “Partia Kombëtare e Shqipërisë”, i përket vitit 1902. »»
Abonohu
Email
(*) Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.

 

[ Stafi | Kreu | Kontakti | Politika e Botimit ]
Copyright 2006-2014 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.