facebook
twitter
rss
E Shtunë,   19 Prill 2014
Personalitetet shqiptare në arkivat e Londrës (II)
2013.05.06 - 08:43   
 
 

8.Imzot Luigj Bumçi. Luigj Bumçi vjen prej një familje të mirë Shkodrane. Lindi në vitin 1879 dhe kreu studimet në kolegjin Jezuit në Shkodër dhe në Seminar. Në moshën 30 vjeçare u emërua Peshkop i Lezhësme banim në Kallmet. Gradimi i tij i shpejtë iu atribua simpative të tij pro-austriake. Në 1918 ishte delegat i qeverisë provizore shqiptare pranë Konferencës së Paqes ku u bë po aq filo-italian sa kish qenë filo-austriak. Ai zëvendësoj Turhan Pashën si kryetar të delegacionit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës në vitin 1920 zgjodhi 4 regjenta dhe Bumçi qe një prej tyre, po paaftësia e tij e qartë dhe disinvoltura e plotë me të cilën trajtoj çështjet publike shpunë në tërheqjen e tij të shpejtë, dhe pas grushtit të shtetit të Hasan Prishtinës në 1921, ai u detyrua të largohej nga vendi. Urrejtja kundër tij në këtë kohë mund të matet nga një ngjarje që nuk kish ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, djegija e shtëpisë së tij nga Mirditasit si dhe të kishës. Ai u kthye në Shqipëri më vonë dhe rimori funksionet e tij peshkopale. Ai as do e as duhet nga Mbreti Zog dhe duket të ketë lënë me një anë çdo aktivitet politik, të paktën tani për tani. Ai është një klerik i shëndoshë dhe i qeshur me një humor të zhvidhuar dhe me sjellje të përsosura si dhe me një kulturë që e kanë vetëm pak klerikë në Shqipëri.

9. Nush Bushati. Është shkodran katolik lindur në vitin 1897 dhe i mësuar në kolegjin Jezuit të qytetit. Është diplomuar nga Universiteti i Vjenës me titullin Dr. në Jurisprudencë. Është martuar me një artiste Vjeneze. Flet Gjermanisht Frengjisht Italisht. Bushati mori pjesë në politikë për here të pare më 1922 kur u zgjodh deputet i Shkodrës. Atëherë qe mbështetës i Fan Nolit (i cili e emëroj Konsull të Përgjithshëm në Vjenë) dhe kundërshtar i Mbretit të tanishëm. Kur Ahmet beu u kthye nga Jugosllavia u shkarkua nga detyra në Vjenë. Mbeti jashtë shtetit si refugjat politik deri në vitin 1931 kur u fal dhe u lejua të kthehesh në shtëpi. Në vitin 1932 ai prapë u zgjodh deputet për Dibrën dhe në tetor 1935 u emërua Ministër i Arsimit në kabinetin e Medi bej Frashërit. Ai zhvilloj aktivitet të pakët në qeveri për të asgjesuar kaosin në të cilën Ivanaj kish lënë Ministrinë. Më vonë nuk u zgjodh më as deputet.

10.Sulço Bej Bushati. Sulço bej Bushati është kryetari i familjes së Bashatlive në Shkodër dhe një forcë në komunitetin mysliman të atij qyteti, ka lindur rreth vitit 1874. Në 1919 ishte prefekti i Shkodrës. Në 1924 ai iu vu kundër Ahmet Zogut kur ky i fundit u kthye nga Jugosllavia, por më vonë u fal prej tij. Sulço beu nuk ka të ngjarë të lozë më një pjesë aktive në politikën e vendit në të ardhmen por familja e tij ka influencë të madhe në Shkodër dhe është faktor me të cilën duhen bërë hesapet, njëri prej anëtarëve, Maliq Bushati, deputet në parlamentin e shkuar, pati kurajon të votonte si tek pullë kundër qeverisë më 10 nëndor 1936. Më vonë vuri kandidaturën si i pavarur në Shkodër, dhe me gjithë se nuk u zgjodh arriti të marrë një sasi të konsiderueshëm votash, më tepër se çdo deputet tjetër të opozitës në Shqipëri.

11.Kost Çekrezi. Është ortodoks Korçar lindur rreth vitit 1886. Kreu studimet në universitetin e Athinës kur u diplomua në jurisprudencë. Kur u kthye nga Greqia në 1913 u emërua sekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Në të njëjtin vit u bë sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Durrës për arsye se dinte disa gjuhë, frengjisht, anglisht, dhe greqisht. Më 1914 shkoj në Amerikë ku qëndroj për disa vjet dhe u diplomua dhe nga universiteti i Harvard-it. Gjatë kësaj kohe ishte anëtar të Shoqërisë Vatra të shqiptarëve të Amerikës. Çekrezi u kthye në Shqipëri pak kohë pas mbarimit të luftës dhe u mor me letërsi.

Ai shkroi një libër me titullin Albania Past and Present (Shqipëria në të kaluarën dhe sot) dhe botoj një fjalor të vogël Anglisht Shqip, që të dy të shtypura në New York. Në të njëjtën kohë nxirrte një gazete në Tiranë.”Telegrafi” që nuk pati jetë të gjatë. Autoriteteve nuk u pëlqyen disa artikuj dhe kur u proklamua monarkia u arrestua dhe u dënua nga “Gjyqi Politik” me dënim të rëndë. Shpejt atij iu fal dënimi fitoj prapë favorin e Mbretit dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Në 1932 prap u fut në belara dhe këtë herë në lidhje me Komplotin e Vlorës. U arrestua, u gjykua dhe u dënua me tri vjet burgim. Po dënimet nuk arritën ta ndreqin dh eta mënjanonin nga aktivitete revolucionare. Sa po kish dalë nga burgu prapë u fut në bela, këtë herë si figura qendrore në lëvizjen abortive të Fierit në gusht 1935. Këtë radhë pati aq mend sa të përgatiste ikjen në rast dështimi dhe mundi të largohet në Itali. Në maj 1936 ishte në Paris dhe u mundua të bindte Ambasadorin Britanik atje se pakënaqësia në Shqipëri kishte arritur kulmin dhe se një shpërthim i ri ishte i pa evitushëm.

12.Hiqmet Delvina. Hiqmet Delvina lindi më 1879. Është mysliman dhe ka studiuar në turqi. Ai ka mbështetur Ismail Qemalin kur ngriti flamurin në Vlorë në 1912. Në konferencën e Durrësit ai përfaqësonte Gjirokastrën dhe më vonë u bë drejtor i Zyrës Civile të Ministrisë së Punëve të Brendshme. U zgjodh deputet i Gjirokastrës në 1925 dhe Ministër i Drejtësisë në vitin 1928. Korrupsioni dhe nepotizmi fituan për të një nam dhe një urrejtje të gjerë në popull ku vese të këtilla nga një here kalojnë me një sy të mbyllur, kurse arroganca dhe kapadaillëku i tij u bënë shkak për rrëzimin e qeverisë së Koço Kottës në vitin 1930. Me gjithë këtë i shkon deri diku fjala në qarket e larta se u ri-zgjodh deputet i Gjirokastrës prap në 1937 dhe u bë nën-kryetar i parlamentit.

13.Abdurrahman Dibra. Abdurahman Dibra ish Ministër i Financave lindi në vitin 1882. Kreu studimet në Turqi dhe ka botkuptimin dhe pikëpamjet e një nëpunësi të ulët turk. Qe senator i Dibrës në 1925 dhe Ministër i Punëve të Brendshme në 1927 por nuk mbajti këtë post për kohë të gjatë. Mori pjesë në plan të parë në ngjarjet që shpunë në proklamimin e monarkisë. Në 1929 u bë Ministër i Arsimit në kabinetin e Koço Kotes. Në 1932 u zgjodh deputet i Dibrës. Nga portofolet e ndryshëm që ka patur, ajo e financave ndoshta ishte ajo që i përshtatesh më pak se është veçanërisht jo inteligjent dhe nuk ka kurrë farë përvojë në çështjet financiare.

Thuhet se personalisht është i ndershëm, por nuk qe i zoti edhe sikur të ish munduar të pengonte të tjerët, miq të tij dhe zyrtarë të ndryshëm, të fusin duart në arkën e shtetit për qar të tyre. Ai humbi postin me rrëzimin e kabinetit të Pandeli Evangjelit në tetor të vitit 1935. Ai u zu në mënyrë të tërbuar me ish-Ministrin e Brendshëm Etem Toto në verë të vitit 1936 mbi një çështje që dëmtonte qeverinë Frashëri dhe që u vu në dukje nga gazeta Besa ku ai ish një nga pronarët. Ai u ri-zgjodh deputet në listën qeveritare në janar 193..

14.Izet Dibra. Izet Dibra lindi rreth vitit 1880 dhe kreu studimet në turqi. Ishte prefekti Durrësit në 1922 dhe më vonë deputet i Dibrës, prefekt i Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Në 1931 u emërua Ministër i Punëve Botore në qeverinë e Pandeli Evangjelit dhe në vitin 1932 u zgjodh deputet për Elbasanin. Kur u rindërtua kabineti në vitin 1933 Dibra u zëvëndësua në postin e Ministrit të Punëve Botore nga Sandër Saraçi. Është pak inteligjent dhe ka fituar nam si njeri i pandershëm dhe përvetësues. Ai ish ndër ata pak deputet që nuk u dolli kandidatura për deputet në vitin 1937, duke qenë se ish emëruar në 1936 si kryetar i Reformës Agrare.

15.Xhemil Dino. Xhemil Dino është nga Preveza ku lindi në 1894. Në 1922 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtëm dhe më vonë Sekretar i I i Legatës Shqiptare në Paris ku veproj edhe si i Ngarkuar me Punë për një farë kohe. I dëbuar nga posti kur Fan Noli erdhi në fuqi u emërua nga Ahmet bej Zogu, kur u kthye nga Jugosllavia si Ministër në Romë, post që e mbajti deri në vitin 1931. Ai atëhere ra nën ndikimin Italian dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e Paktit të Tiranës. 

Në një kohë ishte i fejuar me njërën nga motrat e Mbretit Zog dhe ishte mik i ngushtë me të, por e fejuara e theu fejesën dhe miqësia midis tij dhe Mbretit u ftoh mjaft. Në 1931 ai shkoj në Londër me rang Ministri por nuk qëndroj shumë në këtë post se një dashuri e vjetër përfundoj me vetëvrasjen e dashnores te shkallët e Legatës. Çështja u raportua gjerësisht në shtypin e verdhë dhe Dino qe i shtrënguar të japë dorëheqjen. Në 1934 erdhi në Tiranë dhe në vjeshtë u martua me të bijën e Shefqet Vërlacit, ish- e fejuara e Mbretit Zog dhe vajza e pronarit më të madh tokash në Shqipëri. U emërua Ministër në Sofie në Tetor të po të këtij viti. Dino përfaqëson brezin e të rinjve shqiptarë në punë shtetërore që kanë një lustër të qytetërimit perëndimor. Ai është i aftë, i sjellshëm por dembel pa masë. Është linguist i mire dhe flet në mënyrë të rrjedhshëm frengjishten, anglishten, turqishten dhe greqishten.

16.Imzot Visarion Xhuvani. Me origjinë nga Elbasani lindur në vitin 1885 dhe përgatitur për karierën klerikale në Athinë. U emërua prift i komunitetit grek ortodoks në Sofie të Bullgarisë. U kthye vonë në Shqipëri dhe mori pjesë në politikë në vitet 1920-1921, por shquhet më tepër për përpjekjet për krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe mbajtja e saj në këmbë me gjthë dështimet e një pas njëshme për të siguruar njohjen nga ana e Patriarkatit të Stambollit. Përpjekjet e Xhuvanit dhe shokëve të tij klerik u përkrahën nga prelatët jugosllavë.

Me kohë arriti të bëhet kryetari i kishës por fatkeqësisht energjia dhe kusaroja e tij, për të cilat nuk mund të kishin dyshim, shoqëroheshin nga një karakter moral të ulët. Personaliteti i tij qe një nga pengesat kryesore pë arritjen e një marrëveshje me Fanarin deri në vitin 1936 kur u bind të japë dorëheqjen. U dekorua nga Mbreti dhe iu dha një pension duke e nxjerrë në pension, por pritja shprehur në raportin e vjetit të kaluar se ai do të zhdukesh në errësirën e harresës nuk doli parashikim i saktë. Përkundrazi që atëherë nuk ka lënë rast pa humbur për të dale në pah në Shqipëri dhe jashtë duke marrë pjesë në konferenca kishtare sin ë atë të Londrës në vjeshtë të vitit 1937, dhe pak më vonë në varrimin e Primatit të Jugosllavisë. Ai nuk mban sekret armiqësinë e tij për marrëveshjen e arritur midis kishës ortodokse shqiptare dhe Fanarit të prillit 1937, po pas lidhjes së marrëveshjes ai bëri paqe me Patriakartin Eukumenik dhe më vonë bëri një vizitë në Stomboll. Ai vazhdon të përdorë titullin e kryepeshkopit.

17.Cen Elez Ndreu. Një figurë me influencë te malësorët e Dibrës. Është i biri i Elez Isuf Ndreut dhe kunati i Murat Kaloshit. Shtëpia e familjes është në Slatin në Dibër. Familja Ndreu me traditë është anti-Serbe. Në 1920të shtrënguar të braktisin shtëpinë e tyre nga trupat serbe , erdhën në Tiranë si refugjatë. Kur Serbët u larguan nga familja u kthye në Slatin.
Në vitin 1922 Cen Elezi dhe i ati morën pjesë në një lëvizje kundër Ahmet bej Zogut dhe marshuan mbi Tiranën por më vonë për arsye të ndërhyrjes si Sir Harry Eyres (Ministri i Britanisë në Shqipëri.A.D.) u pajtuan me Zogun dhe u kthyen në Dibër.
Prap në vitin 1924 ranë në konflikt me Zogun.

Elez Isufi vdiq nga plagët e marra në luftën për të kundërshtuar kthimin e Ahmet beut nga Jugosllavia, në afërsi të Peshkopisë dhe Cen Elezi u bë kryetari i familjes. Ai nuk trashëgoj influencën që kish patur i ati. Mungesa e qëndrueshmërisë, egoizmi dhe pabesnikëria shkaktuan që malësorët e Reçit dhe të Dardhës të shkëputeshin prej tij. Tani së fundi administrimi i keq i Tiranës ka bërë që këto dy fise prapë të bashkohen me të, dhe mund tani të mbështetet mbi ndihmën e tyre pot ë jetë nevoja.

18.Ali Erebara. Më pare oficer në ushtrinë shqiptare dhe tani ushtron profesionin e juristit. Lindi në 1898. Kreu studimet në Akademinë Ushtarake të Sofjes në 1916 dhe mori pjesë në ushtrinë bullgare në aksionet në në Maqedoni. Pas luftës mbaroi shkollën e kavalerisë në Belgrad. Mbaroi Shkollën e Lartë për Oficera të Shtabit në Torino dhe pastaj përfundoj studimet në fakultetin e jurisprudencës po në atë qytet. Për një kohë ishte Kryetar i Gjykatës Ushtarake në Tiranë dhe pedagog në shkollën mbretërore ushtarake po në këtë qytet. U mërzit me jetën ushtarake dhe si pasojë të një mosmarrëveshje me Komandantin e Përgjithshëm në lidhje me gradimin e tij në rangun e majorit, dha dorëheqjen nga ushtria. Gruaja e tij është italiane. Mbreti Zog nuk e do, por është i zoti dhe është me karakter të pavarur.

19.Pandeli Evangjeli. Pandeli Evangjeli lindi në vitin 1859, dhe ka të drejtë të konsiderohet “Plaku i Vjetër i Shqipërisë”. Është ortodoks dhe vjen nga kolonia shqiptare e Rumanisë, të cilën e përfaqësoj në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-20. Në korrik 1921 u emërua Ministër i Punëve të Jashtëm dhe më vonë po në atë vit Kryeministër deri në grushtin e shtetit të Hasan Prishtinës. Në 1922 ishte prapë Ministër i Punëve të Jashtëm dhe mbajti atë post për dy vjet. Në 1924 u zgjodh deputet për Korçën. Kur erdhi Fan Nolin ë fuqi Evangjeli shkoj në Rumani por u kthye në shqipëri kur Ahmet bej Zogu përmbysi qeverinë e Fan Nolit.

U bë senator në vitin 1925 dhe president Ii senatit 1926.Në vitin 1928 Evangjeli përfaqësonte Korçën në Asamblenë Kushtetuese që prokllamoj monarkinë. Me rënien e kabinetit të Koço Kotës në 1930 ai u bë Kryeministër por dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 1932. Mbreti e ftoj të modifikonte qeverinë dhe ai kështu bëri duke kryer disa ndryshime. Me këtë qeveri të rindërtuar ai qëndroj në fuqi deri në tetor 1935 kur Mbreti Zog vuri në vepri qëllimin që kish shpallur që prej kohe që të hiqte dorë nga këshilltarët e tij të vjetër dhe në vend të tyre të caktonte persona nga brezi i ri. Karakteri i lartë i Pandeli Evangjelit, besnikëria e tij, dhe ndershmëria e tij e përsosur dhe e pa diskutueshme e bënin atë figurën më përfaqësues të kohës të përpashme.

20.Lame Kareco është ortodoks dhe lindi në Gjirokastër rreth vitit 1886. Ka mësuar në Greqi dhe ka një fare stërvitje juridike. Më pare punonte në Bankën e Egjiptit. Në 1926 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave kur Milto Tutulani ishte Ministër. Për aq sa kishte rregull në atë dikaster të ç’rregullt kjo i dedikohesh Lame Karecos. Në 1930 u emërua President I Komisionit të Kontrollit dhe në 1931 me propozim të Mbretit u bë Ministër i Financave dhe si i tillë firmosi marrëveshjen për huanë italiane.

Ai dha dorëheqjen me Pandeli Evangjelin në 1932 dhe mbeti jashtë kabinetit të rindërtuar nga Pandeli Evangjeli në janar të 1933. U zgjodh deputet i Gjirokastrës në nëndor të vitit 1932. Ai është funksionar me një fare përvoje i cili kreu punë me vlerë, por jo si Ministër. Si Ministër nuk plotësoj sa pritesh prej tij se i mungonte kurajoja dhe krijoj armiqësi për arsye se kërkoj të rrethonte veten me ortodoks. U rizgjodh deputet në vitin 1937.

21.Imzot Kristofor Kissi. Imzot Kissi lindi në Berat më 1885. Kreu studimet në shkollën teologjike të ishullit Halki në detin Marmara afër Stambollit. Në 1916 zgjodh peshkop i Lagjes Makrikeuj të Stambollit. Në 1923 u kthye në Shqipëri dhe ish peshkop i Beratit dhe pastaj i Korçës deri në 1936 kur u bë zëvendësi i Kryepeshkopatit të Durrës –Tiranës me dhënien e dorëheqjes së Visaron Xhuvanit. Më vonë luajti rolin kryesor në bisedimet me një pajtim midis kishës ortodokse shqiptare dhe Patriakatit Eukumenik. Ai kryesoj komisionin që vajti në Stamboll në pranverë të vitit 1937 për plotësimin e radhitjeve të reja në të cilat ai u bë Kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, dhe Elbasanit dhe Primati i Shqipërisë. Dy ditë më vonë pas njohjes së kishës shqiptare si autoqefale, ai mori nga Patriarku “Tomos” dokumentin formal që njeh kishën ortodokse shqiptare si autoqefale. Ai ka namin se është klerik i ndershëm dhe i drejtë, por është tepër shpejt të gjykohet aftësia e tij për të drejtuar një kishë ku ende ka shumë mos marrëveshje.

22.Faik Konica. Faik Konica është vëlla me Mehmet Konicën. Është Ministër i Shqipërisë në Uashington që nga viti 1926. Qëndron në një pozitë më vete midis shqiptarëve të sotëm duke qenë se është krejtësisht perëndimor në idetë e tij, me një kulturë të konsiderueshëm, kritik muzike dhe arti. Që kur filloj nja 20 vjet më pare të bëjë agjitacion në shtyp për Shqipërinë dhe pavarësinë e saj, ai ka bërë mjaft, në një mënyrë apo tjetër, për vendin e tij. Duke jetuar shumicën e kohës jashtë Shqipërisë ai sheh punët në Shqipëri në prizmin e një vëzhguesi të jashtëm. Në 1912 bëri gabimin me ndihmën që i dha Esat Pashës për të krijuar qeverinë e Shqipërinë së mesme në kundërshtim me qeverinë e Vlorës, dhe në ditët e Fan Nolit, ai mbështeti këtë të fundit kundër Ahmet beut. Me gjithë këtë ai arriti shpejt të kuptonte gabimin dhe të bënte paqe me fituesin. Faik Konica ka natyrë të pavarur, është me vullnet të forte, nevrik dhe sarkastik. Si pasojë ka bërë shumë armiq. Në 1920 ai u bë Kryetar i Shoqërisë Vatra të Shqiptarëve të Amerikës si dhe redaktor i gazetës saj “Dielli”. Si Ministër shqiptar në SB.B.A. një post që nuk ka arsye të ekzistojë, ai ndjek vijën e vet pavarësisht nga udhëzimet që mund të marrë nga Tirana.

23.Mehmet Konica. Mehmet Konica lindi andej nga viti 1878, është mysliman nga fshati Konicë në jug të Shqipërisë tani brenda kufijve të Greqisë. Është i mësuar duke pas kryer studimet në Turqi. Flet frëngjisht, turqisht dhe anglisht. Më parë bënte pjesë në shërbimin konsullor të Turqisë. Më 1913 përfaqësoj Shqipërinë në konferencën ku u njoh pavarësia e Shqipërisë. Princ Vidi e emëroj Ministër në Athinë. Gjatë luftës qëndroj në Korfuz. Në 1916, me ftesë të Vatrës të shqiptarëve të Amerikës, ai shkoj në Londër për të propaganduar në favor të Shqipërisë. Ai u kthye në Shqipëri në 1918 dhe mbështeti një lëvizje për krijimin e një qeverie shqiptare nënë mandat Italian. Në 1919 ishte delegat i Shqipërisë pranë Konferencës së Paqes. Në 1921 vajti në Londër si Ministër por dha dorëheqjen kur Ahmet beu u kthye në fuqi. Më vonë u pajtua me të dhe u bë këshilltari i tij konfidencial për çështjet politike.

Nga viti 1930 luajti një rol të dorës së pare, pa tjetër me aprovimin e Mbretit Zog, në Konferencën jo-zyrtare Ballkanike që u mblodh atë vit, dhe kryesonte delegacionin shqiptar në mbledhje vjetore të kësaj organizate në vitet që pasuan. Në këtë periudhë ai konkurroj me Bullgarët duke nxitur konferencën të merresh me çështjet e minoriteteve. Ishte ai që ngriti zërin me zemërim në mars 1934 që shkaktoj që grupi kombëtar shqiptar të tërhiqesh nga konferenca pas përfundimit të Paktit Ballkanik një muaj më pare. Që atëherë nuk ka patur ndonjë pozitë me rëndësi, dhe dyshohet se Mbreti tani i jep ndonjë vlerë të veçantë fjalëve të tij. Ai e përdor Konicën për të qenë në kontakt me disa përfaqësues të huaj në Tiranë, sidomos me përfaqësuesin jugosllav, dhe atë të SH.B.A. Në nëntor 1937 ai themeloj shoqërinë shqiptaro-greke në Tiranë.

24.Abdurrahman Krosi. I njohur gjithashtu si Abdurrahman Sali ose si Abdurrahman Mati. Abdurrahman Krosi është një shërbëtor plak i vjetër analfabet i familjes Zogu dhe qeni besnik i Mbretit. Nuk dihet mosha e tij e saktë por duhet të ketë lindur jo më vonë se 1868. Ai është prej fisit të matjanëve. Vlera e tij qëndron te fakti se di të manovrojë me malësorët e Matit, Krujës dhe Dibrës në kohë të vështira dhe të zhdukë njerëzit që pengojnë e të zot. Se sa është e vërtetë autori i këtyre veprimeve të errëta që i atribuohen është problem i pa zgjidhur, thuhet se vetë Mbreti Zog paska thënë se është hajdut i klasit të parë, por nuk ka kurajën të bëhet vrasës.

Ai doli në pah për here të pare në 1924 si deputet për Dibrën dhe më vonë si anëtar i Asamblesë Kushtetuese që proklamoj Zogun Mbret. është ri-zgjedhur deputet për Dibrën në mënyrë të rregullt. Rëndësia e tij qëndron në faktin se bën pjesë në rrethin intim të Mbretit që nga kohërat që ishte shërbëtor i familjes ose më mire të themi “qehaja “. Thuhet se sjell botëkuptimin e një qehajai në zgjidhjen e punëve të shtetit. Nuk ka dyshim për besnikërinë e tij për Mbretin, por ka përfituar nga pozita e tij për t’u pasuruar në të holla dhe toka, në mënyrë krejt të pa drejtë. Kështu ai është bërë “një plak i vërtetë të detit” për Shqipërinë, dhe simboli në sy të atyre që janë kundërshtarë të regjimit, të poshtërsive të favoritizmës dhe të shtypjes që e sfigurojnë atë. Shkaktoj çudi të madhe vendimi që të shoqëronte motrat e pa martuara të Mbretit në udhëtimin e tyre në SH.B.A.në shkurt 1938.

25. Mustafa Kruja. Mustafa Kruja është i biri një qehajai të Esat Pashës. Lindi në Krujë në vitin 1881. Ishte delegat i Durrësit në Vlorë në restin e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë. Më vonë u zgjodh senator. Në qeverinë italofile të Turhan Pashës në vitin 1918 ishte Ministër i Post Telegrafëve. Në 1921 u zgjodh deputet për Kosovën. Ai ishte kundërshtar i Pavarësisë Popullore e njohur si “Klika” të kryesuar nga Ahmet beu. Fan Noli e emëroj prefekt në Prefekt në Shkodër në 1924. Kur u kthye Ahmet beu nga Jugosllavia në dhjetor Mustafa Kruja u largua nga Shqipëria. Që atëherë ka patur një fare rëndësie midis të emigruarve politik shqiptarë. Simpatitë e tij janë fortësisht pro-italiane dhe është iridentist i tërbuar. Jeton në Zara dhe merr rrogë nga qeveria italiane.

Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara. Nuk lejohet botimi në mediume të tjera në asnjë mënyrë pa lejen me shkrim të “Gazeta Start”.
 
 



     
  Komento këtë Lajm!   
  Emri*   
  Qyteti   
  Përmbajtja e komentit*   
  Kodi*     
 
Sqarim: Njoftojmë të gjithë lexuesit tanë se komentet të cilat përmbajnë fjalor ofendues, antikombëtar, antifetar, përçarës NUK DO TË PUBLIKOHEN!!!
     

Shkrime të mëparshme të autorit
- Themistokli Gërmenji dhe “Republika e Korçës”
- Tirana - qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
- Anselmo Lorecchio “Helenizimi dhe shqiptarët”
- “Mbreti dhe Shkodra”
- Kontributi i Ali Pashë Tepelenës për themelimin e shtetit grek
Lajme të ndryshme
Mjafton Pogba, Juve prek titullin
Zbulohet planeti “kushëri” i Tokës (video)
Hakohet skaneri i “Galaxy S5” (video)
Kujdes hipertensionin!
Mbroni fëmijët nga pedofilia!
We Are Happy From Tirana
Rikthehet Bajerni, Dortmundi vazhdon të fitojë
Qeni që kupton si njeri
Artan Fuga: Mediat sociale përcjellin dije
Analistët
Lajmi i fundit
 Forum
Beteja e Turqisë me “Twitter”-in Rexhep Tajip Erdoani, kryeministri luftarak i Turqisë, e ka quajtur “Twitter”-in “rrezikun më të madh për shoqërinë”... »»
 Eseistikë
Të dyshuarit midis blasfemisë dhe si qëllim në vetvete Do ishte e nevojshme për disa domene të dijes që të përpilohej një histori e dyshimit, qoftë edhe në pika të përgjithshme; se si ka ndikuar ai te mendimi dhe te kultura; se a ka qenë i dobishëm apo ko »»
 Dossier
Themistokli Gërmenji dhe “Republika e Korçës” “Republika e Korçës” ishte një administratë lokale që u krijua nga komanda ushtarake franceze më 10 dhjetor 1916 - 16 shkurt 1918. Ajo kishte një këshillë prej katërmbëdhjetë vetash i përbërë nga 7 my »»
Abonohu
Email
(*) Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.

 

[ Stafi | Kreu | Kontakti | Politika e Botimit ]
Copyright 2006-2014 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.