anketa
• Mendoni se negociatat e reja maxhorance-opozite do t´i japin fund krizes?
 PO
 JO
 Ndoshta
 Se di
Rezultate ] 
          futboll
fshf
Europe League
england
Itali
Spanje
Gjermani
chleague

 
"të përgatit për jetën"!
 
        Partnerë



Tortura e pushimeve në ferrin turistik
Agron TUFA

I
Një nga mënyrat më të dukshme se si e dëshmon njeriu dhe shoqëria portretin e vet, është, padyshim, natyra, pikërisht ajo, - mbështjella e aktivitetit fizik e frymor i bujtjes njerëzore. Raportet e njeriut me hapësirën natyrore, në të cilën ai bun si frymor, përcaktojnë dhe tipin e kulturës, prejse kanë zënë fill stadet e para të civilizimeve lumore.

Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë marrëdhënie: peisazhi që e mbështjell bujtjen e një sociumi përcakton potretin kolektiv të kësaj bashkësie. Së këndejmi, pesazhet mjedisore janë vazhdim dhe zgjatim i mendjes, marrëdhënieve dhe sjelljes njerëzore jashtë banesës së tij, në natyra. Natyra është vazhdimi i projeksionin mendor dhe psikologjik të njeriut, higjena e tij estetike, ndaj dhe është i pashmangshëm thelbi etik i kësaj bashkëjetese.

A mund të flasim për një thelb etik të marrëdhënieve të njeriut dhe shoqërisë shqiptare në lidhje me natyrën, me peisazhin dhe mjedisin që e rrethon? Peisazhi që i mbështjell qendrat tona të banimit e pasqyron projeksionin e asaj çka kanë mendje njerëzit tanë. Rezultati sot na del i llahtarshëm! Akoma më i lemerishëm ndjehet ky efekt kur gjendesh aty ku duhet të mbretëronte harmonia e ngjyrave, e kodrave dhe ujërave me arkitekturën e banesave - pra, aty ku njeriu me trup e shpirt të rraskapitur shpreson të pushojë.

Riviera, perlat turistike të Shqipërisë, bregdetet tona me të cilët kërkojmë të tundojmë turistët, janë bërë pamje të acaruara xhunglash betoni, trajta të përçudshme ngrehinash si në filmat horror, zhaurrima, gërrvima, kërkëllima dhe vizgëllima therëse të një marratone të makthshme ndërtimesh. Shpirti s'të gjen një minutë prehje nga ky xhind që shkëpurdhet si në prush, ditë e natë, nga xhindi i babëzisë për të hedhur shtat hekur-betoni, që të dëshmojë kush e kush më parë ekzistencën e vet debile - shumën katastrofike të një egoizmi të pistë, që tradhëton në menyrë diskrete portretin tonë grupor.

E gjithë kjo tablo makabre, që i ngjan një përbindëshi të përshqyer mitologjik, spikat dhimbshëm me tan dis'harmoninë therëse midis kodrave piktoreske dhe detit të paqtë, me pala të të kadifenjta ujërash.

II

Qoftë dhe nga ky përshkrim i shkurtër e gjithëpërfshirës, secili prej lexuesve mund t'i vendos koordintat konkrete hapësinore, pa frikë se gabohet: Saranda!  Nga një vend ideal e tërheqës pushimi, që synonte të bëhej një parajsë tunduese për vendas e të huaj, qyteti ka marrë tiparet e një masakre dinosaurësh. Ndjesia e parë është shokimi.

E dyta - irritimi. E treta - pafuqia lënduese, fyerja dhe turpi patësosur. Ata që përgjigjen për qytetin, planimetrinë, arkitekturën dhe për ndërtimet në përgjithësi, e kanë braktisur në gjendje natyrore, duke shfrytëzuar kësisoj fitime të majme politike dhe ekonomike në këtë maratonë absurde ndërtimesh. Një mik sarandiot më tha se, në vitin zgjedhor 2005, partia në qeverisje, stimuloi qindra banorë, duke u shpërnadarë sasi të vockla toke, të pamjaftueshme për të ngritur ndërtesa apo motele normale. Në këtë situatë, sekush ndërtoi forma të çuditshme, paradoksale, ngrehina të tipit 'lejlek me një këmbë', të kushtëzuara nga perimetri i vogël e i pamjaftueshëm i sheshndërtimit. Sigurisht dhe pa pikë dyshimi, në forma të përafërta kanë vepruar e veprojnë të përkedhelurit e partisë në pushtet.

Rezultati: ndërtesa të vogla, të gjera e picigjate i janë lëshur njëra-tjetrës në grykë t'i marrin frymën. Për jetë a vdekje. Miqtë e kolegët e mi, që e kanë Sarandën qytetin e fëmijërisë së tyre, bëhen keq, ndihen të fyer e të poshtëruar për përdhosjen e ndjenjës më të shtrenjtë,  - në nostalgjinnë e fëmijërisë së tyre. "Është një mish-mash i shëmtuar, një qytet i shfytyruar krejtësisht, i cili nuk ka pikë lidhjeje me qytetin që kemi njohur. Nuk na bën zemra të shkojmë", - më tha një koleg i fakultetit.
Dhe njëmend, ku shkuan gjithë ato premtime, gjith ato përrenj retorikë? Përse dhe çfarë kuptimi kanë investimet për rrugët, që të çojnë në një qytet-përbindësh?

III

Dita e parë në Sarandë. Ditë e zakonshme qershori 2010. Hotel "Bora-Bora". Me një agendë të tejngarkuar punësh, mezi gjeta kohë për t'iu bashkuar familjes sime, që më priste në këtë hotel të bukur . I ndërtuar buzë rrugës që të çon nga Kodra e Çukës, hoteli është "kapur gafil" nga vile të kokolepsura ndërtesash mbi e nën rrugë. Vetëm dy-tre metra, fill poshtë rrugës ndërtohet në ethe një pallat gjigand; shtrohet hekur, cingërijnë sharrat që presin metal, jehojnë çekanët që ngulin gozhdë, pastaj betonierat...

Por të gjitha këto zhurma përmbyten, sfumohen nga një palë të tjera dhe më therëse e acaruese: as dhjetë metra përbri, ngjitur me "Bora-Bora", një Skrep gjigand, si një kafshë prehistorike ngul nofullat mbi masivin e bardhë shkëmbor, duke i këputur si copëra djathi. Prapa makinës-dinosaur është krijuar tashmë një shesh-hapësirë mbi të cilën ka hedhur shtat të freskët betonarmeje një bina e madhe, e cila nuk dihet në çfarë trajtje do të përfundojë. Ndërkaq gulçima dhe uturima therëse e Skrepit që kafshon shkëmb për të hapur shesh të ri, të terrorizon veshët, të tromaks. Dhe është piku i sezonit turistik!

Hoteli është thuajse i zbrazët. Pronarja e hotelit, Frida, një grua e paqtë e zemërmirë, mundohet të na mbajë me kuvendime të sjellshme ne, të vetmit klientë, të argëtojë dy vogëlushet tona, por mendjen e ka gjithmonë tek batërdia e zhurmave jashtë derës. Dikur nuk përmbahet dot dhe shpreh pikëllimin e saj.
- A ka ligj, që garanton qetësinë e pushuesve të hoteleve gjatë sezonit? - e pyes kot, pse dihet dhe merret me mend kaq pakogjë.

Frida shpjegon, se hapësira e zënë me pallatet në ndërtim e sipër, ka qenë e llogaritur për një lulishte, e cila do të zbriste në trajtë tarracash, valë-valë, deri në det. Projekti qe miratuar në Bashki në fund të majit. Por, ja, siç e shihni... Me 6 qershor, në mes të natës, filluan skrepat, ekskavatorët dhe ndërtimet. Ditë e natë... pa pushim. U ankuam në Bashki, u munduam të lidhemi me telefon me shefin e urbanistikës. Asnjë përgjigje! Thjesht askush nuk merr mundin të përgjigjet. Të merresh vesh me ata që ndërtojnë, t'u thuash, fjala vjen, "po më shkatërroni bisnesin, po më sabotoni klientët"... a ku di tjetër çfarë.... Jo-oo! Vazhdojnë të punojnë, e shumta, të të kërcënojnë. Ç'të bësh? Të vritesh me ta?

Në dhomat e hotelit nuk bën punë as izolimi i dritareve: zhurma është e papëballueshme për materien e qelqtë: duhet të përshtatesh me zhurmat e kantierit. Gjatë gjithë kohës mendoja si do t'ia bëj për ndeshjen e mbrëmjes. Me ato zhurma nuk shijohen ndeshjet. Prita deri në tetë e gjysëm, mos kushedi Skrepi do të pushonte, por jo! Ekrani i madh plazëm në holl të hotelit dha pamjet e para me lojëtarët që zbritën në fushë. Thashë ta provoj vetë njëherë, të shkoj të falas me ata atropoidë, që kishin vendosur "t'ia hanë shkëmbit mëlçinë" pa susur nata. Pos serioziteti i tyre të shkurajonte. Atëherë iu luta Zotit:

"O Zot, bëje një mrrekulli, ndaljua vrullin këtyre beterrave tahmaqarë, të na lënë rehat, të paktën, sa për të parë ndeshjen!".  Me sytë në ekran, duke ndjekur i nervozuar fillimin e lojës, ndjeva kotësinë e asaj lutje, por vetëm për pak. Befas zhurma u pre. Veshët e rënduar jepnin ende iluzionin e cingërimës. Për një grimë mendova se humba shqisën e dëgjimit, por zëri i transmetuesit dëgjohej komod, i pastër e pa pengesë. Jashtë pashë një grumbull njerëz që vërtiteshin rreth dinosaurit të hekurt. Mandej zërin e e acaruar e të zhgënjyer të përdoruesit: "Lëre s'e s'bëhet më për sonte... s'e sheh? U pjerdh!"

IV

Ironia e thelbit apo thelbi i ironisë së makutërisë njerëzore në gjakim për ta shtrënguar natyrën të ulë kokën, të rrijë "sus", t'i nënshtrohet e robërohet pa kushte tekave të njeriut, qëndron në pabarazinë e kësaj përleshjeje, në tendencën e njerëzve drejt një qëllimi, përkundër përkohësisë biologjike të tyre prej vdekëtarësh, duke iu kundërvënë zemërgjerësisë së natyrës së përjetshme që shkak dhe qëllim ka vetveten dhe që nuk gjakon për kah qëllimet në kontekstin e të kuptuarit njerëzor.

Dualizmi biosocial i thelbit të vetë njeriut ka shpënë e gjithëherë do të shpjerë në po të njëjtin dualizëm: organizimin e mjedisit të banimit, duke u konfrontuar me elementët e natyrës, thjesht për volķ të ekzistencës njerëzore. Një çështje të tillë mund ta formulojmë kështu: origjinaliteti i njeriut si krijesë kulturore kërkon t’i kundërvihet botës së natyrës, të kuptuar si hapësirë jashtëkulturore. Kufiri ndërmjet këtyre dy botëve jo vetëm do ta veçojë njeriun nga krijesat e tjera jashtëkulturore, por edhe do të hyjë brenda psikikës dhe veprimtarisë njerëzore.

Duke parë "heroizmat" e marrë e të mjerë të  njerëzve me tekën dhe besimin, se me para e vullnet mund ta çosh dhe lumin përpjetë, më vjen ndërmend një ish-profesori im rus i filozofisë, një burrë plak, i cili s'di pse mori flakë njëherë dhe, duke iu dridhur mjekra nga zemërimi për katastrofat biosociale në mjediset e banimit, e përfundoi kështu orën e leksionit: “Fëmijë të dashur, - gjatë gjithë historisë së civilizimit njeriu e ka pështyrë në fytyrë natyrën. Natyra nga ana e vet, kuptohet,  e ka fshirë prej fytyre pështymën e njeriut dhe, natyrisht, duke i kërkuar thellësisht të falur atij, e ka pështyrë dhe ajo. Tani – krahasoni forcat…!" 


                                                                                                             2010-07-30   
       ]


Postuar më: 2010-08-19 11:29
Mire o krush-qia mire...
Norel,
Postuar më: 2010-08-14 09:56
O norel, jeni angazhuar dhe me krushqi te mbroni Agronin ne forume. Cfare beni o burre se nuk mbrohet kunati keshtu, apo i therret vertete profesor kunatit? Pavaresisht perfitimeve qe po ju krijon se po ben dhe krushqine te zgjuar tani
krushqia,
Postuar më: 2010-08-08 10:17
Prej ktij shkrimi te thell pus me pelqeu veç ishi rus........ Ceni prej Dibret
Ceni, Diber
Postuar më: 2010-08-07 23:03
Fatkeqesia me e madhe ne kete mes eshte se shkaterrimi eshte aq i madh, sa nuk do mund te kete me ide, deshire e energji pozitive per ta rehabilituar kete katastrofe njerezore. Bravo agronit per publikimin qofte duke kritikuar edhe qeverine ne pushtet, pavaresisht se ka nje funksion publiik-politik
klod, tr
Postuar më: 2010-08-07 11:49
Me gjithe mend problemi qe ngre Agroni eshte i llahtarshem. Disa e marrin me te qeshur dhe e kalojne jeten ne qetesi dhe llum te pashqetesuar nga plehrat. Po si mundet te ndodhe ne nje vend te tille qe e ka bekuar perendia, domethene qe bekoi natyren dhe mallkoi njerezit, apo mallkoi njerezit qe keta te perdhosin natyren? Po s´ka trishtim me te madh ekologjik se te qarkullosh ne Shqiperi, estetika do te tmerrohej, nese njeriu do te pershtatej me nje burg te zymte. Po pastaj ketu eshte e tmerrshme dhe Agroni nuk e permend se po dole per peshkim me kallam dhe grep, qe eshte nje zanat i vjeter ekollogjik i njeriut, keta ta sekuestrojne kallamin dhe grepin sepse ne ligjet e tyre ekologjoke i kane kategorizuar si demtues te ambientit. Prandaj o burra, sa me shpejt ligje te ashpra ekollogjike, madje Shqiperia ka nevoje edhe per nje universitett ekollogjik
Kris, Tirane
Postuar më: 2010-08-07 10:47
Kjo është e dhimbshme por nuk kemi ç’bëjmë profesor Agroni. Kudo të shkosh, në gjithë perimetrin shqiptar, pronë e dëshmoreve e llogaritur për metër katror, do të gjesh këtë sagë vdekjeprurëse jo vetëm për estetikën vizuale por gjithashtu për pasojat që do të vuajmë pa patur kohë më pas. Kuteli na e ka shkruar mirë një prozë të vogël me një mesazh e përmbajtje thuajse botërore e të përjetshme. Por meqë po flisni për Sarandën, dikur qyteti me gjelbërim, lule të rralla e me harmoni mitike, edhe mua më qëlloi ti shoh të gjitha masakrat urbane. Saranda është Ballsh me det tashmë. Saranda është qyteti që do të banohet nga fantazmat. Pesëdhjet apo shtatëdhjetë mijë euro kushton një apartament banimi dhe kurrkush nuk është çmendur të blejë por me një mendjezgjuarësi i fut ato para në bankë dhe me përqindjen vjetore e bën plazhin për kokrrën e qejfit në “Bora-Borën” e vërtetë e jo atë të Sarandës. Ballshi me det, Saranda, nëse do të krahasohej me një kurm të shtruar në spital them me plot bindje se nuk do të kishte pavion dhe mjek për ta marë përsipër ta kthejë në harmoninë natyrore të dikurshme. Kjo papërgjegjshmëri reflektohet edhe në kulturën e udhëheqjes lokale e vendore, fryma antishqiptare po reflektohet në visaret më të çmuara botërore, siç është dhe Saranda. Duke ikur për në amfiteatrin e lashtë të Butrintit po e njëjta masakër është bërë. Ndërtime pa kriter, prishje e rendit ekologjik, ngacmimi dhe gangrenizimi i një territori të krijuar çprej miliona vjetësh po shëmbet e po shëndrrohet për njëzet vite dhe ne njerëzit e vegjël, kam përshtypjen se nuk do të gjejmë asnjë vend të sigurtë përpara tërbimit dhe egërsisë së natyrës. Dhe kjo është gjeja me e sigurt sesa fitimet ekonomike që do t’u sjellin të pangopurve nga kjo katrahurë urbanistike.
Norel, Tirane
Postuar më: 2010-08-06 02:40
Mendoj qe nuk ka rendesi te permendesh partite se te dyja njesoj jane...sidomos kur vjen puna per te vjedhur.Fatkeqesine,ne qe mund te shkojme me shume per pushime jashte,e shohim me qarte dhe me me dhimbje.Psh une isha ne Porto-riko, brenda ne fshatra ishte si shqiperia,ne bregdet i sistemuar perbukuri.Une nuk jam njeri pesimist,por kete pune e shoh me shume pesimizem.Katrahura eshte kaq e madhe sa une nuk shoh zgjidhje,thjesht ne do te jetojme me ate
Hyseni, Fier
Postuar më: 2010-08-05 15:50
Tung Durim! Pse nuk e ke vazhduar citimin edhe me vijimin e fjalise tjeter: "Sigurisht dhe pa pikë dyshimi, në forma të përafërta kanë vepruar e veprojnë të përkedhelurit e partisë në pushtet". Universaliteti i nje shkrimi nuk prishet kur nuk i vjen per hosh ndonje simpatizanti te PS-se. P.S: partia ne pushtet, eshte PD-ja, apo jo?
agroni-autor,
Postuar më: 2010-08-01 09:43
Agron Tufa Ka shume te drejte.Kur studioet nje periudhe historike bazat jane arkitektura kohes,ndertimet pra fytyra e zhvillimit.Tek ne mbetesh pa goje.
ilir, Tirane
Postuar më: 2010-07-30 22:46
\"Një mik sarandiot më tha se, në vitin zgjedhor 2005, partia në qeverisje, stimuloi qindra banorë, duke u shpërnadarë sasi të vockla toke, të pamjaftueshme për të ngritur ndërtesa apo motele normale..." Sikur të mos i kishe shkruar këto radhë shkrimi do të kishte vlerë universale.
Durim, Golem
Postuar më: 2010-07-30 13:05
Papergjegjesi kolektive, psikike burgu, humbja e perspektives, te cojne ne humbjen e ndjenjes te se bukures, komfortit dhe harmonise me natyren. Per te pranuar kete mjafton ti hedhesh nje sy rruges sone te perkohshme nga materniteti deri te varrezat... Fatkeqesisht sejcili prej nesh e vuan kete padrejtesi, por tek me e pakta, pak ose aspak bejme per te korrigjuar kete gjeme. Une personalisht, sloganet: "s´ka qeveri, s´ka ligje" i kam kundervene proverbin e lashte kinez: "Kur nuk e kerkon te vetvetja, te kush tjeter e kerkon?
xhixhileja, berat



         Komento këtë Lajm!
Emri*  
Qyteti  
Përmbajtja
e komentit*
 
Kodi*
    »»
 


 
Sqarim: Njoftojmė tė gjithė lexuesit tanė se komentet tė cilat
pėrmbajnė fjalor ofendues, antikombėtar, antifetar, pėrēarės
NUK DO TĖ PUBLIKOHEN!!!
[ktheu mbrapa] 
 


   Fillimi | << |  1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15  | >> | Fundi   
E Enjte, 09 Shtator 2010
  
analistët
moti
Tiranë
 
Shkodër
 
Vlorë
 
Prishtinë
 
Shkup
 
 këmbimi valutor
€ EUR
137.1
  0.8
$ USD
108.1
  1.4
£ GBP
166.7
  0.9
nga Banka e Shqipërisë 
09/09/2010   
[ Stafi | Homepage | Kontakt | Politika e Botimit ]   [ Powered by: Orihost.com ]

Copyright 2009 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.